Si u krijua flamuri i ylbertë LGBT?

Flamuri i ylberit është mes simboleve politike më të njohura në botë. Simboli i përbërë nga gjashtë shirita me ngjyrë të ndryshme valëvitet rregullisht dhe mbahet me krenari nëpër protesta në qytetet më të mëdha të botës.

Pranimi i flamurit të ylberit si një simbol për komunitetin LGBT daton në vitin 1978, kur artisti Gilbert Baker nga San Francisko bëri publik dizajnin e tij tetëngjyrësh. Versioni i parë i flamurit i qepur me dorë u valëvit më 25 qershor në Ditën e Lirisë Gej.

Baker ka thënë se ai donte të jepte idenë e diversitetit dhe gjithëpërfshirjes, duke përdorur “diçka brenda natyrës që përfaqëson seksualitetin tonë si një e drejtë njerëzore”.

Përdorimi i flamurit u përhap nga San Francisko në Nju Jork dhe Los Anxhelos. Në vitet 1990, njihej si simboli global për të drejtat LGBT.

Tetë ngjyrat e ndryshme në flamurin origjinal të Baker prezantonin secila nga një aspekt të ndryshëm të jetës. Roza prezantonte seksualitetin, e kuqja jetën, portokallia shërimin, e verdha dritën e diellit, e gjelbra natyrën, bojë qielli artin, bluja në lejla harmoninë dhe vjollca shpirtin njerëzor.

Numri i shiritave më vonë u pakësua në gjashtë. Bluja zëvendësoi blunë në lejla; dhe roza e vjollca u hoqën.

“Ishte shumë e vështirë të gjeje material të atyre ngjyrave në atë kohë”, thotë Graham Bartram, shef i Institutit të Flamurit. “Ndaj u hoqën. Ato kohë duhej t’i qëndisje bashkë flamujt me materialet ekzistuese në vend që t’i printoje ato, siç ndodh tani”, shpjegon ai.

“Arsyeja përse flamuri ka performuar kaq mirë është prej thjeshtësisë, e cila lejon që të jetë kaq gjithëpërfshirës. Është pak a shumë si rrathët olimpikë, të cilët u projektuan për të shfaqur ngjyrat që përdoren në çdo flamur të secilit komb që merr pjesë”.

Nëse Baker do t’i shtonte flamurit më tepër simbole të lidhura me homoseksualitetin mashkullor – si simboli i “Marsit të dyfishtë”, që tregon dy rrathë të ndërlidhur me shigjeta – atëherë flamuri i tij mund të mos kishte pasur kaq shumë sukses nga sa ka tani, mendon Bartram.

Flamuri i ylberit ka një histori të gjatë dhe diverse. Revolucionari i shekullit të 18, Thomas Paine, sugjeroi përdorimin e një të tillë për të identifikuar anijet neutrale gjatë periudhave të luftës.

Në fillim të shekullit të 20, aktivisti amerikan i paqes James William van Kirk projektoi një flamur që tregonte vijat e ylberit të lidhura me një glob. Synonte të tregonte se si njerëzit e kombeve dhe ngjyrave të ndryshme mund të jetonin së bashku në harmoni.

Dhe një ylber është gjithashtu në flamurin e Aleancës Ndërkombëtare të Bashkëpunimit.

 

“Ylberi është diçka që ne të gjithë e pikturojmë nga një moshë shumë e re”, thotë Bartram. “Ndaj ne të gjithë e njohim atë dhe mund të lexojmë në të çfarë na pëlqen. Kjo është arsyeja përse funksionon më së miri”.

©2018 SOS LGBTI Albania