Si të denoncoj një rast diskriminimi?

Çfarë është diskriminimi?

Termi "Diskriminim" nënkupton çdo dallim, përjashtim, kufizim apo preferencë, që ka si qëllim bërjen e pamundur të ushtrimit në të njëjtën mënyrë me të tjerët, të të drejtave e lirive themelore të njohura me nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, aktet ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë dhe ligjet në fuqi.

Kush është dhe për çfarë shërben zyra e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi?

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi ka të drejtë të marrë masa adiministrative ndaj shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe ligjit “Për Mbrojtjen nga Diskriminimi”. Çdo person, grup personash ose organizatë me interesa legjitime që pretendon diskriminim në emër të një personi apo grupi personash, mund t’i drejtohet Zyrës së Komisionerit për çdo pretendim diskriminimi. 

Si denoncohet një rast diskriminimi?

Rastet e diskriminimit mund të denoncohen duke plotësuar formularin e ankesës që përmban këto të dhëna:
•    Emrin e ankuesit dhe mënyra se si mund të kontaktohet; 
•    Subjektin që pretendohet të ketë kryer diskriminim; 
•    Shkaku për të cilin pretendohet diskriminimi  
•    Shpjegimin e diskriminimit të pretenduar; 
•    Masat që kërkohen të ndërmerren nga Komisioneri; 

Kliko këtu për të shkarkuar formularin.

 

Si vepron Zyra e Komisionerit pas marrjes së ankesës? 

Me marrjen e ankesës, Komisioneri  njofton me shkrim subjektet kundër të cilëve është paraqitur ankesa. Me qëllim verifikimin e fakteve, Komisioneri mund t’u kërkojë parshtrime/informacione palëve brenda 30 ditëve nga dita që ata marrin njoftimin. 
Kur e sheh të përshtatshme, Komisioneri zhvillon një seancë dëgjimore publike ose mund të kërkojë të arrijë marrëveshje pajtimi mes palëve. 
Pas shqyrtimit, Komisioneri shprehet me vendim, të cilin ua komunikon palëve brenda 90 ditëve nga marrja e ankesës. Nëse është zhvilluar një seancë dëgjimore publike, vendimi merret brenda 90 ditëve nga dita e seancës. 
Vendimi përmban rregullimet dhe masat e duhura, duke caktuar edhe një afat për kryerjen e tyre. 
Personi kundër të cilit është paraqitur ankesa, raporton para Komisionerit brenda 30 ditëve në lidhje me veprimet e ndërmarra për zbatimin e vendimit. Në rast se ai nuk e informon Komisionerin ose nuk zbaton vendimin, ndëshkohet me gjobë. 
Në rast se ai zbaton vendimin brenda shtatë ditëve nga caktimi i gjobës, atëherë sanksioni me gjobë ndaj tij shfuqizohet automatikisht. 

Si mjet të fundit, kur subjekti fizik ose juridik nuk i përmbahet vendimit të Komisionerit ose nuk e paguan gjobën brenda tre muajve pas afatit të caktuar si dhe kur sanksioni nuk është kundërshtuar në gjykatë, Komisioneri mund t'u kërkojë autoriteteve kompetente heqjen apo pezullimin e lejes ose autorizimit të subjektit fizik ose juridik për ta ushtruar veprimtarinë e tij. 

 

 

©2018 SOS LGBTI Albania