Bullizmi dhe efektet që rrjedhojnë prej tij

Në vitet e fundit dëgjojmë shpesh të përmendet termi “bullizëm”. Nuk ka një fjalë specifike për ta shqipëruar por kuptohet si ‘sjellje agresive dhe e papërshtatshme ndaj një individi, ushtruar nga një ose më shumë persona’. Bullizmi ka tendencë të përsëritet edhe nëse “arsyet” e keqtrajtuesit ndryshojnë.

Pre e bullizmit mund të jetë kushdo që ndihet në pozita inferiore ndaj bullistit (term që i referohet personit/personave që ushtrojnë bullizmin). Thënë kjo, viktimë e bullizmit mund të jetë një fëmijë shëndetlig, një adoleshente me gjatësi më të madhe se moshataret e saj, një grua mbipeshë, një i ri homoseksual… Në vetëvete, bullizmi fuqizohet nga dallimet e perceptuara mes individëve apo grupeve të cakuara. Por kush e përcakton se cili nga grupet është më i dobët? A ka në të vërtetë një grup më të dobët?

Nëse i referohemi grupimit LGBTI, mund të shprehemi se bën pjesë te grupimet më të prekura nga bullizmi. Kjo jo vetëm në Shqipëri por edhe në botë. Nga rreth 10.000 persona që u bënë pjesë e një studimi në Mbretërinë e Bashkuar, 4% ishin biseksualë, 1% meshkuj homoseksualë dhe 1% femra homoseksuale. 79% e biseksualëve të vetë-deklaruar në studim, pranuan se kanë qenë pre e bullizmit, ndërsa 15% prej tyre kishin ushtruar edhe vetë bullizmin. 82% e meshkujve homoseksualë kanë qenë pre e bullizmit dhe 32% kanë qenë në pozicionin e bullistëve. Nga femrat homoseksuale, 73% pohuan se ndaj tyre është ushtruar bullizëm, ndërsa 20% kanë qenë vetë ushtruese. Këto shifra duhen marrë në konsideratë, duke qenë  se i përkasin vitit 2017. Nëse në çdo vend do të rezulonte mesatarisht kjo pasqyrë shifrash, përballja me bullizmin do të duhej të planifikohej me një ndërhyrje të posaçme për mbrojtjen e personave LGBTI. Mendohet se ndërhyrjet e tilla janë të mundura dhe efikase.

Në të kundërt, perceptimi nga të tjerët si njësi e LGBTI-ve, dyfishon mundësitë për depresion dhe tentativa vetëvrasjeje te këta të rinj (krahasuar me të rinjtë heteroseksualë). Gjithashtu, bullizmi ndaj tyre favorizon përfshirjen në vepra të rrezikshme, pirjen e duhanit, konsumimin e drogërave, etj. Evidencat studimore janë të mjaftueshme për të krijuar një ide se ç’përmasa merr bullizmi sapo nis të gjejë zbatim. Vlen të theksohet se bullizmi lë shenja të forta edhe nëse për një moment nuk është aktiv. Kjo për vetë arsyen se individi e përjeton bullizmin me intensitetin e efektit jehonë. Fjalët ngacmuese, ofendimet, goditjet, përsëriten në mendje dhe stimulojnë emocionet e pakëndshme që individi ka përjetuar gjatë bullizmit aktiv. Ky efekt i tejzgjatur sjell një gjendje emocionale të rënë ose agresive (kujtojmë që edhe disa nga viktimat e bullizmit te studimi i mësipërm, kishin ushtruar bullizëm). Nuk janë të pamundura rastet kur viktimat kthehen në abuzues.

Pavarësisht kalimit nga skaji në skaj, fenomeni mbetet aty dhe mbetet kërcënues. Edhe bazat më të forta të personalitetit mund të lëkunden përballë rrymës negative që sjell bullizmi. Çdo person që ka orientim të ndryshëm seksual, nuk është i dobët apo inferior ndaj të tjerëve. Kjo bindje duhet të shoqërojë çdo njeri që për një moment vë në dyshim vlerat e vetes – thjesht sepse dikush tjetër trumbeton një thirrje të ndryshme.

Burime:

Bontempo, D.E. & D’Augelli, A.R. (2002). Effects of at-school victimization and sexual orientation on lesbian, gay, bisexual youths’ health risk behavior. Journal of Adolescent Health.

Russell, S.T. & Joyner, K. (2002). Adolescent sexual orientation and suicide risk: Evidence from a national study. American Journal Public Health.

 

The Annual Bullying Survey 2017, Ditch the Label.           

©2019 SOS LGBTI Albania