Disa fjalë për vetëvrasjen dhe të rinjtë LGB

Vetëvrasja – akti i vrasjes së vetes, shpesh si rrjedhojë e depresionit ose sëmundjeve të tjera mendore (1). Ky përkufizim i APA-s (American Psychological Association) është përkufizim për të paktën 1 milionë njerëz çdo vit (2). Nuk ka një shkak të vetëm që shpjegon vetëvrasjen. 

Megjithëse çdokush mund të jetë person potencial për të kryer vetëvrasje, të rinjtë LGB tentojnë dhe kryejnë disa herë më shumë vetëvrasje, krahasuar me të rinjtë heteroseksualë (3). Nuk duhet të harrojmë se diferenca në këtë rast është orientimi seksual. Çfarë e shtyn një të ri LGB të tentojë dhe të kryejë vetëvrasje më shumë se një moshtar që pëlqen seksin e kundërt? A është vetëvrasja dënim për orientimin dhe identitetin seksual “ndryshe nga të tjerët”?

Çdo jetë e humbur është një ngjyrë më pak nga shiriti me qenie njerëzore. Individi duhet të fillojë të vlerësohet për atë që është. Individi nuk është vetëm homo/heteroseksual. Nuk duhet vënë theksi te një pjesëz e individit, ndërkohë që ai përfaqëson një tërësi copëzash. Do të ishte gjykim i mangët, i varfër dhe në fund – kërcënues për dikë që e ndjen veten vulnerabël vetëm për shkak se pëlqen këtë apo atë. Shifrat e vetëvrasjeve pa dallim rrace, etnie, moshe, gjinie janë të frikshme. Shifrat e vetëvrasjeve me dallim orientimi dhe identiteti seksual janë tronditëse.

Në rast se për ju diferencën e bën personi dhe jo orientimi i tij/saj seksual, mund të ndihmoni duke i qendruar pranë, duke u përpjekur të kuptoni, duke i kujtuar çfarë e ka bërë të ndihet më mirë tjetër herë, duke e qetësuar dhe duke i ofruar mbështetjen tuaj. Kjo nuk tregon sesa mendjehapur jeni lidhur me çështjet LGBTQ+ por sa e vlerësoni jetën dhe njeriun.

Njihen disa faktorë rreziku – faktorë që rritin predispozitat për vetëvrasje:

Faktorët e shëndetit - Gjendjet e shëndetit mendor, gjendjet shëndetësore kronike ose kërcënuese për jetën, dëmtimi traumatik i trurit.

Faktorët mjedisorë - Aksesi ndaj mjeteve të rrezikshme dhe substancave, stresi  i zgjatur në kohë si bullizmi, papunësia, marrëdhëniet problematike, ngjarje stresante të jetës si vdekja, divorci, humbja e punës, ekspozimi ndaj vetëvrasjeve të të tjerëve.

Faktorët historikë - Tentativat e mëparshme për vetëvrasje, historiku familjar i vetëvrasjeve, abuzimet në fëmijëri, neglizhimi, traumat.

Arsyet mund të jenë të ndryshme por faktori/faktorët për individ, gjendet/n brenda kategorive të lartpërmendura. Sa më mirë të njihet specifika, aq më të përshtatshme do të jenë reagimet në rastin e përballjes me dikë që mendon ose është jo larg kryerjes së vetëvrasjes. Këtu dëshirojmë të ndalemi. Është e rëndësishme të dimë si të veprojmë kur vendosemi përballë situatave të vështira.

Ajo çfarë mund të bëjmë për parandalim afatgjatë (4):

-          Ndihmojeni dhe shoqërojeni në vendosjen e kontaktit me një specialist mjek dhe psikolog.

-          Inkurajojeni dhe mbështeteni në kryerjen e aktiviteteve që pëlqen, në aktivizimin shoqëror.

-          Pranojeni për atë që është dhe bëjani të ditur.

-          Ndihmojeni në përcaktimin dhe realizimin e qëllimeve që mund të ketë lidhur me të ardhmen.

-          Përfshini persona të tjerë në rrjetin mbështetës për parandalimin e vetëvrasjes së personit që dëshironi të ndihmoni.

-          Bisedoni hapur për vetëvrasjen dhe situatën.

-          Ndërtoni një plan ndihmues sëbashku me personin.

Për parandalimin e aktit në momentin që pritet të ndodhë:

-          Largoni objektet e rrezikshme si thikat, armët, pilulat.

-          Pyeteni me pyetje të thjeshta për mënyrën se si po ndihet, çfarë po mendon, si mund ta ndihmoni.

-          Mos debatoni dhe mos ngrini zërin.

-          Mos diskutoni nëse vetëvrasja është forma e duhur apo e gabuar.

-          Sigurojini diçka që dëshiron ta ketë në atë moment, nëse e gjykoni si diçka jo të rrezikshme dhe të përshtatshme.

-          Nëse personi ka haluçinacione dhe deluzione, mos ia vini në dukje se janë të pavërteta.

Vetëvrasja nuk ka emër, prandaj edhe këto masa parandaluese nuk mund t’i shohim si të përveçme. Sigurohuni që të jeni person mbështetës dhe të keni informacion mbi vetëvrasjen. Kjo është ndihma e parë që mund t’i jepni vetes për çdo të papritur që mund të hasni. I ri, i moshuar, i gjymtuar, aziatik, afro-amerikan, homoseksual, ekselent në studime, fëmijë i vetëm... Çdo individ është më shumë se një përcaktim i thjeshtë. Për asnjë arsye nuk është mirë të vendosim barriera mes nesh. Për çdo arsye është mirë t’i ofrojmë mbështetje një tjetër qenieje njerëzore. Lufta nuk është ndaj individit por ndaj vetëvrasjes së tij.

Burimet:

(1)   http://www.apa.org/topics/suicide/index.aspx

(2)   https://www.befrienders.org/suicide-statistics

(3)   https://www.thetrevorproject.org/resources/preventing-suicide/facts-about-suicide/#sm.0000sv2gkyrn7edhs6u1ywpa4wq12

(4)   https://www.health.govt.nz/your-health/conditions-and-treatments/mental-health/preventing-suicide/supporting-someone-who-suicidal

©2018 SOS LGBTI Albania