Mbi homofobinë e brendësuar

Kemi folur për çështje të personave LGBTI, duke i parë në spektrin social. Paragjykimet, diskriminimi, dalja hapur, pavarësisht se në radhë të parë prekin vetë individin, janë të lidhura me personat që bëhen pjesë e ndërveprimeve. Një çështje thellësisht e lidhur me veten është homofobia e brendësuar. A zë vend te çdo person LGBTI? Si shpjegohet ky term? 

Homofobia e brendësuar i referohet perceptimeve negative, intolerancës, stigmatizimit të personave LGBTI për veten e tyre, nisur nga orientimi seksual që kanë. Locke (1998) e ka përshkruar si “ndjenjë vetë-urrejtjeje që vjen si pasojë e stigmatizimit shoqëror”. Ndoshta ky nuk është term i përhapur në Shqipëri edhe pse fjalët e mësipërme mund të përcaktojnë saktësisht mënyrën se si ndiheni, mendoni. Megjithatë, parë edhe në nivel global, duket fakt kontradiktor që një person LGBTI të paragjykojë dhe diskriminojë veten për shkak të orientimit të tij. Si për të “sfiduar” vërtetësinë e tog-fjalëshit, shtojmë se ekzistojnë disa instrumenta për matjen e homofobisë së brendësuar. “Four Dimensions” ekzaminon katër çështje kyç të identitetit të personave LGBT: identifikimin në publik si LGBTI, perceptimin e stigmës lidhur me të qenurit LGBTI, shkallën e komfortit në mjedise me persona të tjerë LGBTI, besimet lidhur me pranimin moral-fetar lidhur me homoseksualitetin. Një tjetër shkallë matjeje është hartuar në formën e një sërë pyetjesh dhe njihet si IHP Scale.

Kocepte të lidhura me homofobinë e brendësuar, janë:

§  Mohimi – t’i mohosh vetes jetën dhe dashurinë që dëshiron.

§  Gënjeshtra – të gënjesh veten për pëlqimet dhe seksin që të tërheq.

§  Paaftësia – të jesh i/e paaftë të dalësh hapur për orientimin tënd edhe atëherë kur dëshiron të deklarohesh.

§  Përzgjedhja – të dalësh hapur në mënyrë të përzgjedhur, jo te çdokush dhe kudo.

§  Marrëdhëniet sekrete – të krijosh marrëdhënie sekrete, pa ekspozuar veten dhe partnerin.

§  Imponimi – të imponosh të tjerët të mos tregojnë dhe të mos dalin hapur për orientimin e tyre seksual.

§  Neveria – të ndjerit i/e neveritur për personat e tjerë LGBTI që dalin hapur.

§  Gjykimi – gjykimet për personat e tjerë LGBTI që kanë pranuar orientimin e tyre.

§  Inati, zemërimi – ndjenja inati dhe zemërimi kundrejt personave që dalin hapur dhe pranojnë identitetin e tyre.

§  Turpi – të ndjerit i/e turpëruar nga persona të tjerë LGBTI që “përfaqësojnë” atë që je edhe ti.

Homofobia e brendësuar ndiqet nga efekte negative te vetja, të tjerët, lëvizja LGBTI.

Vetja ndikohet në terma të të ndjerit jo i/e përmbushur. Kufizohen mundësitë e të shprehurit lirshëm. Duke u përqendruar te turpi, zemërimi, ankthi, individi privohet nga emocionet e këndshme. Shtuar këtyre, rriten predispozicioni për t’u prekur nga sëmundjet mendore, kronike, abuzimi me substancat, vetë-dëmtimet.

Të tjerët rrethojnë individin dhe mund të jenë po aq përgjegjës për marrëdhëniet e dëmtuara. Megjithatë po flasim për ndikimin negativ nisur nga një person LGBTI në drejtim të vetes dhe të tjerëve. Homofobia e brendësuar, nga individi te të tjerët, mund të jetë shkas për thyerjen e besimit mes miqve, familjes, partnerit. Një individ i cili nuk ndihet mirë me veten, do të percjellë te të tjerët gjendjen e tij, duke prekur konsiderueshëm thelbin e marrëdhënieve.

Lëvizja LGBTI është bashkim i individëve të cilët mblidhen për të njëjtin qëllim. Individi i dominuar nga homofobia e personalizuar do të reflektojë dhunë, intolerancë dhe diskriminim ndaj lëvizjes. Lufta me veten do të shprehet te grupimet që kanë të njëjtin emërues por që specifikat i ndajnë në ndjekjen e qëllimeve të ndryshme.

Ndikimi i shoqërisë shpaloset në shumë mënyra. Nuk mund të shmangim rrjetën sociale që na mbështjell në tërësinë e saj. Ne ndikojmë dhe ndikohemi por deri në ç’pikë?

Burimi: http://www.revelandriot.com/resources/internalized-homophobia/ 

©2018 SOS LGBTI Albania