6 çështje mbi shërbimin shëndetësor për personat LGBTI në Shqipëri

Personat LGBTI janë pjesë e shoqërisë. Ata janë vajza dhe djem, gra dhe burra nga të gjitha shtresat e shoqërisë që kanë të drejtë të marrin shërbim shëndetësor cilësor dhe të përshtatshëm, bazuar në nevojat specifike.

Ligji 10,17 Për Kujdesin Shëndetësor në Republikën e Shqipërisë siguron që shërbimi shëndetësor udhëhiqet nga parimet e së drejtës për kujdes shëndetësor si e drejtë themelore e çdo individi, si edhe garantimin e të drejtave të barabarta, bazuar në mos diskriminim.

1.     Mjekët e konsiderojnë ende homoseksualitetin si sëmundje

Por kujdesi shëndetësor mbetet ende një fushë problematike për personat LGBTI në Shqipëri. Një studim i Aleancës Kundër Diskriminimit LGBTI në vitin 2015 tregon se një pjesë e doktorëve dhe infermierëve në Shqipëri e konsiderojnë ende homoseksualitetin si një sëmundje dhe marrëdhëniet seksuale mes të njëjtit seks si imorale.

2.     Diskriminimi kufizon eksesin e personave LGBTI në shërbimet shëndetësore

Qëndrimet negative dhe diskriminimi e kufizojnë eksesin e personave LGBTI në institucionet e kujdesit shëndetësor. Një tjetër problem madhor është aksesi dhe ndihma mjekësore lidhur me shëndetin mendor. Izolimi social, homofobia, presionet e pafundme, paragjykimi dhe stigma ndikojnë në rritjen e tendencave vetëvrasëse në komunitetin LGBTI.

3.     Personat transgjinorë të përjashtuar nga shërbimi shëndetësor

Aksesi në shërbimet shëndetësore është thuajse i pamundur për personat transgjinorë. Shërbimet e ricaktimit të gjinisë dhe terapisë hormonale mungojnë duke u bërë pengesë për ndryshimin e gjinisë në mënyrë ligjore.

4.     Prezumimi i heteroseksualitetit, problem për nevojat specifike shëndetësore

Prezumimi i heteroseksualitetit në kontrollet mjekësore është një tjetër problem që pengon marrjen e shërbimit shëndetësor specifik. Pyetjet mbi identitetin gjinor dhe orientimin seksual nuk përfshihen në formularët e kontrollit shëndetësor, çka e bën të paplotë trajtimin e problemeve të shëndetit seksual që mund të përfshijnë dhe partnerin.

5.     Mjekët dhe infermierët të painformuar rreth nevojave shëndetësore të LGBTI

Studimi i Aleancës Kundër Diskriminimit LGBTI tregon se stafi mjekësor nuk ka informacionet bazike mbi nevojat dhe të drejtat shëndetësore të komunitetit LGBTI. Në vend që të kujdesen për nevojat specifike shëndetësore të pacientëve LGBTI, mjekët përpiqen t’i bindin të ndryshojnë sjelljet e tyre, duke prezumuar se stili i tyre i jetesës është shkaktar i problemeve.

6.     Personat e prekur nga HIV gëzojnë shërbim shëndetësor pa pagesë

Shqipëria ka një sistem të dhënash për sëmundjet seksualisht të transmetueshme dhe HIV/AIDS. Kontrolli dhe parandalimi i HIV është i rregulluar me ligj. Personat e prekur nga HIV gëzojnë të drejtën e shërbimit shëndetësor pa pagesë, që përfshin kryerjen e analizave falas dhe mbulimin nga shteti të kostos së trajtimit të specializuar.

 

 

©2018 SOS LGBTI Albania