Shërbimet vendore dhe komuniteti LGBT në Shqipëri

Pavarësisht se Shqipëria ka bërë hapa përpara në drejtim të respektimit të të drejtave të personave LGBT, popullsia në përgjithësi vijon ende ta ketë problem pranimin e orientimit seksual dhe identitetit gjinor të personave LGBT. Por nuk duhet parë vetëm publiku i gjerë, pasi për të pasur një shoqëri gjithëpërfshirëse duhet të punojnë disa aktorë së bashku.

Ambasada Pink me mbështetje të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri ka kryer një studim për të vlerësuar nivelin e ofrimit të shërbimeve në nivel lokal kundrejt personave LGBT. Studimi “Shërbimet vendore dhe komuniteti LGBT në Shqipëri” ndër të tjera kërkon të identifikojë çështjet dhe shqetësimet më kryesore me të cilat komuniteti përballet kur kërkon apo përdor shërbimet vendore në nivel të bashkive.

Disa nga gjetjet kryesore të studimit lidhen drejtpërdrejtë me qëndrimet negative ndaj personave LGBT e kjo ndikon më pas në cilësinë e ofrimit të shërbimeve në nivel vendor. Rreth 9% e zyrtarëve publikë vendorë deklarojnë se nuk duan që t’i ofrojnë shërbime personave LGBT ndërsa 15% të tjerë janë të pasigurt në këtë drejtim.

Edhe në këtë fushë shihet ngërçi midis miratimit të ligjit dhe zbatimit të tij në praktikë. Ndonëse Shqipëria ka një legjislacion të përparuar në fushën e mbrojtjes të të dhënave personale, rreth 81% e zyrtarëve vendorë të intervistuar nuk janë të informuar nëse të dhënat personale të personave LGBT në lidhje me orientimin seksual apo identitetin gjinor duhen trajtuar në një mënyrë të tillë që të garantojnë privatësinë dhe mbrojtjen e identitetit të tyre. Edhe sa i përket njohjes së koncepteve për personat LGBT ka një mungesë të thelluar. Rreth 75% e zyrtarëve të intervistuar thonë se nuk janë trajnuar asnjëherë në këtë fushë.

Në radhët e zyrtarëve publikë vazhdon të ketë një nivel të lartë paragjykimesh dhe refuzimesh për barazinë mes personave LGBT dhe atyre heteroseksual. Pjesa më e madhe e të intervistuarve, saktësisht 32%, i shohin personat LGBT më inferior se pjesa tjetër e qytetarëve. 24% e zyrtarëve mendojnë se personat LGBT nuk duhet të punësohen në administratën publike si dhe 10% e tyre mendojnë se personat LGBT duhet të kenë më pak të drejta se të tjerët.

 

Ndonëse niveli i paragjykimeve dhe qëndrimeve negative është i lartë, një gjetje interesante sipas studimit të kryer nga Ambasada Pink është qëndrimi mbështetës për drejtën e martesës dhe për të krijuar familje për personat LGBT. Në kundërshtim me pritshmëritë dhe diskursin publik kundër martesës në gjini të njëjtë, studimi gjeti se rreth 42% e zyrtarëve publikë vendore ishin dakord me martesën në gjini të njëjtë dhe 34% për krijimin e familjeve LGBT.